Policia e Kosovës (PK) njofton se është parandaluar një rast i kontrabandës me mallra në Gjilan, të cilat u gjetën në një veturë që u ndalua për kontroll. Sipas Policisë, vetura kishte targa suedeze dhe u kap në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Njësitet policore të kufirit, gjatë realizimit të detyrave të tyre, vëzhgimit të vijës kufitare Republika e Kosovës-Serbi, ka ndaluar për kontroll një veturë targa suedeze. Gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar janë gjetur të ngarkuara mallra të ndryshme me pajisje elektronike të përdorura: llaptop, zmadhues të zërimit, shtëpiza kompjuterike, monitorë, radio elektronike, pastaj mall komercial amvisërie (aparat për kafe), motor i motoskafit, një sasi e trotinetëve elektrikë, kositëse e barit me benzinë dhe pajisje e vegla tjera pune”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare Lindje, kurse për personin e dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.