UBT News

Parandalohet kontrabandimi i mbi 11 mijë produkteve ushqimore në kufirin me Maqedoninë e Veriut

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Sipas Policisë së Kosovës, më 26 gusht, nga drejtimi i fshatit Tanushë në Maqedoninë e Veriut është vërejtur një furgon me targa vendore duke hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, në drejtim të fshatit Mjak të Vitisë.

Njësitet e Task Forcës–Jugu kanë reaguar dhe e kanë ndaluar automjetin pranë brezit kufitar. Gjatë kontrollit janë gjetur 9,525 copë çipsa, 700 pashteta dhe 750 gulash viçi, të gjitha me mbishkrime të Maqedonisë së Veriut.

Sipas autoriteteve, drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen apo importimin e mallrave.

Vlera preliminare e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara është vlerësuar në mbi 5 mijë euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat doganore të shmangura.

Mallrat dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor. Rasti do të procedohet më tej nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës./A.K/

Exit mobile version