UBT News

Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në fshatin Debelldeh të Vitisë.

Sipas njoftimit të PK-së, 21.09.2022, rreth orës 02:00, pasi është  pranuar informatë se nga fshati Debelldeh i Vitisë, lëvizin disa automjete, dyshohet të ngarkuara me mallra të kontrabanduar, njësitet policore të angazhuara në përgjigjeje të këtij rasti, në fshatin Kabash, në hyrje të shtëpisë së të dyshuarit, është arritur të ndalohet automjeti pa tabela i ngarkuar me mall të kontrabanduar të cilin e ngiste i dyshuari  I.S., (35-vjeçar).

Gjatë kontrollit, Policia e Kosovës ka hasur në tekstil, klima, pjesë të automjeteve, pjesë të ndryshme dekorative për automjete dhe shtëpi, medikamente natyrale, lëndë e parë për shisha, fletore dhe libra të ndryshme, telefona Iphone 13 etj., të cilat ishin të kontrabanduar nga Republika e Maqedonisë Veriore.

Pas njoftimit të prokurorit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës dhe ATK-në është bërë kontroll në një lokacion ku janë konfiskuar edhe një sasi e konsiderueshme e tekstilit,  produkte të ndryshme higjienike dhe një sasi e konsiderueshme e mishit të terur.

Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, i cili është ndaluar për 48 orë. Ndërsa malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor./UBTNews/

Exit mobile version