UBT News

Parandalohen mallra të kontrabanduara në dy raste të ndara

Policia e Kosovës, përkatësisht njësiti Task Forcë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në dy raste të ndara kanë parandaluar mallra të kontrabanduara, në automjete që kishin hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë.

Rasti i parë ka ndodhur në Kamenicë, ndërsa tjetri në Dobërqan.

“Pas pranimit të informatave për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar Serbi-Kosovë, njësiti Task Forcë ka ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike, ku në zonën e Kamenicës është ndaluar automjeti Mercedes furgon me targa vendore, i cili është vërejtur duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, ku drejtues ishte personi R. M., 1988 mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në automjetin e tij i dyshuari kishte pasur të ngarkuara mallra që dyshohet të jenë të kontrabanduara”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa në rastin e dytë,, vetura që po kontrabandonte mall ishte me targa serbe.

“Në rrugën Stublinë – Dobërqan automjeti Tauran, me targa serbe, i cili dyshohet se kishte hyrë në mënyrë ilegale në Republikën e Kosovës, në përpjekje për t’iu shmangur kontrollit të njësitit Task Forcë dhe duke mos iu bindur urdhrave të Policisë, përveç që ka rrezikuar zyrtarët policorë, i njëjti gjatë vozitjes humb kontrollin mbi automjet duke dalë nga rruga. Gjatë kontrollit është vërejtur se i dyshuari me iniciale F. M. mashkull, shtetas i Serbisë, në automjet kishte pasur të ngarkuara pajisje të ndryshme të kontrabanduara, ku vlera e përafërt e tregut arrin shifrën rreth 20.000 euro”, njofton Policia.

Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar malli është dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme që parashihen për raste të tilla.

Ndryshe, Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti Task Forcë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren.

Exit mobile version