UBT News

Paralajmërimi i Google për përdoruesit e Android – këto simbole nënkuptojnë se dikush po i’u shikon!

Google po paralajmëron miliona përdorues të Android se kur aplikacionet mund t’i spiunojnë ata, transmeton UBT News.

Funksioni i ri paralajmëron përdoruesit kur mikrofoni ose kamera në telefonin e tyre është aktivizuar. Është shumë e ngjashme me një paralajmërim që ekziston tashmë në iPhone.

Veçoria e Google iu shtua telefonave të Android 12, në përditësimin e fundit. Treguesi i ri shfaqet në këndin e sipërm djathtas të ekranit.

Do të shihni një ikonë të kamerës ose mikrofonit kur një aplikacion përpiqet t’i qaset njërës prej tyre. Ai parandalon që aplikacionet të dëgjojnë në mënyrë të fshehtë – apo edhe të shikojnë përmes kamerës suaj.

Vlen të kujtohet se të shohësh një ikonë nuk do të thotë se po ndodh ndonjë gjë e keqe.

Ndonjëherë një aplikacion vërtet duhet të përdorë kamerën tuaj – përshembull Instagram. Por nëse vëreni se kamera juaj po përdoret nga një aplikacion i çuditshëm, mund të nënkuptojë se jeni duke u spiunuar.

Ekspertët kibernetikë kanë zbuluar aplikacione të panumërta që kanë akses në kamerën e telefonave Android.

Frika se aplikacionet po ju përgjojnë ka vite që ekziston!

Vitin e kaluar, alarmi i kamerës së iPhone ngjalli frikën se Instagram po filmonte fshehurazi përdoruesit – por ishte thjesht një gabim.

Shumë përdorues të Facebook thonë se kanë folur për diçka me zë të lartë, e më pas reklamat përkatëse iu kanë shfaqur në aplikacion menjëherë. Këta përdorues pretendojnë se ata nuk kanë kërkuar kurrë më parë për këtë lloj përmbajtjeje dhe i vetmi shpjegim i mundshëm, sipas tyre, është gjurmimi.

Përdoruesit mendojnë se Facebook përdor mikrofonin e telefonit tuaj për të dëgjuar bisedat – për të ndihmuar në shënjestrimin e reklamave. Por a është e vërtetë?

Facebook ka qenë shumë i qartë për këtë çështje dhe thotë se nuk po përdor regjistrimet e mikrofonit për të synuar më mirë reklamat.

Nuk ka pasur kurrë ndonjë provë të fortë – përtej thashethemeve dhe anekdotave – që Facebook po regjistron bisedat tuaja në jetën reale.

Sidoqoftë, është plotësisht e mundur që aplikacione të tjera mashtruese të mund të dëgjojnë atë që po bëni. Pra, veçoria e re e Google është mbrojtja perfekte për aplikacionet e dyshimta që luajnë shpejt dhe lirshëm me privatësinë tuaj./UBTNews/

Exit mobile version