Paneli po shqyrton disa raste me mpiksje të pazakonta të gjakut në tru, të evidentuara tek 6 gra nën moshën 50 vjeç, raste që u bënë shkak që FDA-në dhe CDC-ja të rekomandonin të martën pezullimin e imunizimeve me vaksinën e J&J.
Grupi këshillues i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) vendosi të shtyjë të mërkurën një votim lidhur me vaksinën që lufton koronavirusin të kompanisë Johnson & Johnson, çka nxiti më shumë paqartësi mbi përdorimin e saj. Paneli shëndetësor bëri thirrje për më shumë të dhëna përpara se të vendoste mbi këtë çështje duke shtyrë votimin për një javë ose më shumë.
Një eksperte e Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) u tha këshilltarëve se besonte që paralajmërimet lidhur me përdorimin e saj mund të shmangnin rrezikun jashtëzakonisht të rrallë, por serioz, të mpiksjeve të gjakut.
Paneli po shqyrton disa raste me mpiksje të pazakonta të gjakut në tru, të evidentuara tek 6 gra nën moshën 50 vjeç, raste që u bënë shkak që FDA-në dhe CDC-ja të rekomandonin të martën pezullimin e imunizimeve me vaksinën e J&J.
Dr. Lynn Batha, epidemiologe në Departamentin e Shëndetësisë së Minesotës dhe disa ekspertë të tjerë ishin pro zgjatjes së pauzës për të mbledhur më shumë informacione mbi sigurinë e vaksinës.
“Duke pasur një informacion më të fortë, mendoj se mund të jemi më të sigurt të flasim mbi sigurinë e saj“, u tha ajo anëtarëve të tjerë të panelit këshillues.
Më herët, zëvendës drejtori për çështje të prodhimit të vaksinave në FDA, Doran Fink, tha se paralajmërimet nga agjencia federale do t’u jepnin mundësi mjekëve të peshonin rreziqet dhe përfitimet nga vaksina.
Anëtarë të tjerë të panelit, shprehën shqetësimin se zgjatja e pauzës mund të krijonte probleme lidhur me qasjen e barabartë tek vaksinat, kryesisht për komunitetet që jetojnë zona të thella, duke patur parasysh faktin që vaksina e J&J mund të ruhet në temperatura normale frigoriferike e të jepet vetëm me një dozë.
Disa anëtarë të panelit kërkuan të votonin për ta zgjatur pauzën deri në një muaj, por Dr. Beth Bell, një eksperte globale e shëndetit në Universitetin e Uashingtonit, paralajmëroi rreth sinjaleve shqetësuese që mund të çonte një vendim i tillë në mbarë botën.
“Unë nuk dua të dërgoj mesazhin se ka diçka në thelb me këtë vaksinë, me të cilin nuk jam dakord“, tha ajo.
Gjithsej në SHBA janë injektuar 7.2 milionë doza të vaksinës J&J dhe janë raportuar vetëm 6 raste me mpiksje të pazakonta të gjakut, një rrezik që zyrtarët federalë të shëndetit dhe ekspertët e imunologjisë thanë se ishte jashtëzakonisht i ulët, veçanërisht nëse çështja shihet në raport me rreziqet që paraqet COVID -19. Një nga gjashtë gratë me mpiksje të pazakonta të gjakut ka humbur jetën ndërsa tre të tjera vazhdojnë të jenë të shtruara në spital.