Papa Françesku dënoi sërish çdo formë të anti-judaizmit dhe antisemitizmit përmes një letre nga Vatikani drejtuar hebrenjve në Izrael. Ai i përshkroi “manifestimet e urrejtjes ndaj hebrenjve dhe judaizmit si mëkat kundër Zotit”.
“Së bashku me ju, ne, katolikët, jemi shumë të shqetësuar për rritjen e tmerrshme të sulmeve kundër hebrenjve në mbarë botën”, vazhdon ai.
“Zemra ime është e thyer nga ajo që po ndodh në Tokën e Shenjtë, nga fuqia e kaq shumë ndarjeve dhe kaq shumë urrejtje […] Me zemër jam pranë jush, me Tokën e Shenjtë, me të gjithë popujt që jetojnë aty, izraelitët dhe palestinezët, dhe lutem që dëshira për paqe të mbizotërojë te të gjithë”.
Ai shtoi: “Në një mënyrë të veçantë lutemi për kthimin e pengjeve, duke u gëzuar për ata që tashmë janë kthyer në shtëpi dhe duke u lutur që të gjithë të tjerët së shpejti t’u bashkohen atyre”.
Një varg sulmesh antisemite kanë tronditur komunitetet hebreje në Evropë pas sulmeve brutale të Hamasit në Izrael./UBTNews/