UBT News

Papa Françesku në muajin prill viziton Maltën

Udhëtimi i parë jashtë vendit i Papa Françeskut për këtë vit do të jetë në shtetin ishullor mesdhetar të Maltës, njoftoi Vatikani të martën. Udhëtimi do të realizohet gjatë periudhës 2-3 prill. Ndonëse ishte planifikuar që ky udhëtim të realizohej në vitin 2020, u shtye për shkak të pandemisë.

Papa Françesku do të vizitojë qytetet kryesore sikurse Valletta, Rabat dhe Floriana, si dhe ishullin Gozo. Detaje të tjera do të bëhen të ditura më vonë.

Migrimi pritet të jetë një temë diskutimi, duke qenë se Malta ka qenë ‘pikë e nxehtë’ në debatin e gjatë të Evropës për migracionin.

Papa ishte paraparë të vizitonte Maltën në maj të vitit 2020, por vizita u shtye për shkak se Italia u bë epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Evropë.

Vatikani nuk ka njoftuar ndonjë udhëtim tjetër për vitin 2022, por ai ka pasur plane të kahershme për të vizituar Sudanin e Jugut dhe raportohet se mund të ndalet edhe në Kongo.

Përveç kësaj, Françesku ka thënë se shpreson të vizitojë Libanin së shpejti, megjithëse kushtet atje do të përcaktojnë nëse ai mund ta realizojë vizitën këtë vit. U raportua se ai do të realizojë edhe një vizitë në Indonezi, Timorin Lindor dhe Papua Guinenë e Re në vitin 2020, por pandemia e shtyu atë vizitë./UBTNews

Exit mobile version