Papa Françesku “rrezikoi” të përballet me zemërimin e pronarëve të qenve dhe maceve, duke sugjeruar se njerëzit që zëvendësojnë kafshët shtëpiake me fëmijë shfaqin “një lloj egoizmi”.
Duke folur për prindërimin gjatë një audience të përgjithshme në Vatikan, Papa Françesku u ankua që kafshët shtëpiake “nganjëherë po zënë vendin e fëmijëve” në shoqëri.
“Sot… ne shohim një formë egoizmi”, tha Papa. “Ne shohim që disa njerëz nuk duan të kenë fëmijë. Ndonjëherë ata kanë një, dhe kaq, por ata kanë qen dhe mace që zënë vendin e fëmijëve. Kjo mund t’i bëjë njerëzit të qeshin, por është një realitet”.
Kjo praktikë, tha kreu i 1.3 miliardë katolikëve në botë, “është një mohim i atësisë dhe amësisë dhe na pakëson, na shkatërron njerëzimin”.
Françesku është fotografuar duke përkëdhelur qen, ka lejuar që një qengj i vogël t’i vihet mbi supet e tij gjatë Epifanisë në vitin 2014 dhe madje ka përkëdhelur një tigër dhe një foshnjë panterë.
Por ndonëse paraardhësi i tij, Benedikti XVI, ishte një adhurues i maceve, Françesku nuk dihet se ka një kafshë shtëpiake në rezidencën e tij në Vatikan.
Në vitin 2014, ai tha për të përditshmen Il Messaggero se të kesh kafshë shtëpiake në vend të fëmijëve ishte “një tjetër fenomen i degradimit kulturor” dhe se marrëdhëniet emocionale me kafshët shtëpiake ishin “më të lehta” sesa marrëdhëniet “komplekse” midis prindërve dhe fëmijëve.
Sot, ndërsa ftoi çiftet që nuk janë në gjendje të kenë fëmijë për arsye biologjike, të marrin në konsideratë birësimin, ai u bëri thirrje prindërve potencial “të mos kenë frikë” në fillimin e prindërimit./UBTNews/