UBT News

Papa Françesku do të varroset më 26 prill, njofton Vatikani

Varrimi i Papa Françeskut do të mbahet të shtunën, më 26 prill, në orën 10:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, njoftoi Vatikani të martën.

Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, vdiq më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

Ai vdiq nga sulmi në tru dhe si pasojë nga dështimi i pakthyeshëm i zemrës, tha Vatikani.

Papa Françesku konfirmoi në testamentin e tij të fundit se dëshironte të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe jo në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndryshe nga shumë papë të mëparshëm.

Të martën, Vatikani publikoi fotografitë e para të papës në arkivolin e tij të hapur, para se ai të transferohej në Bazilikën e Shën Pjetrit të mërkurën në orën 09:00, për t’u vendosur për homazhe publike.

Trupi i papës u fotografua gjatë një shërbese të hënën në mbrëmje në kapelën e Casa Santa Marta, rezidenca në Vatikan ku ai jetoi gjatë 12 vjetëve të papatit të tij dhe ku ndërroi jetë.

Vendi i tij i origjinës, Argjentina, u përgatit për një javë të zisë kombëtare, ndërsa India filloi të martën tri ditë zie shtetërore – një nder i rrallë për një udhëheqës fetar të huaj në vendin më të populluar në botë.

Liderë botërorë, nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deri te Volodymyr Zelensky i Ukrainës, thanë se do të marrin pjesë për të nderuar udhëheqësin katolik.

Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.

Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.

Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.

Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.

Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë. Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital.

Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan, dhe i pari i lindur jashtë Evropës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar./REL/

Exit mobile version