Ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.
Lajmin për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak e ka konfirmuar Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 04.05.2023 për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak, në çështjen penale kundër të pandehurit D.P”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.
Pantiq dyshohet se për veprën penale “kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Pantiq do të jetë në arrest shtëpiak deri më 9 korrik derisa ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, u arrestua në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar si i dyshuari kryesor për një sulm ndaj zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës në pjesën veriore.
Arrestimi tij prodhoi tensione në pjesën veriore. Qytetarët atje vendosën barrikada në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat u hoqën pas disa javësh, por vetëm kur gjykata ia zëvendësoi Pantiqit, masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak./REL