Johnson Wen, një shtetas australian, u dënua me nëntë ditë burg pasi kapërceu një barrierë dhe përqafoi këngëtaren Ariana Grande gjatë premierës së filmit “Wicked: For Good” në Singapor javën e kaluar, duke shkaktuar panik tek të pranishmit.
Incidenti, i cili tronditi fansat dhe aktorët e pranishëm, u regjistrua nga kamerat dhe u përhap menjëherë në rrjetet sociale.
Wen u paraqit sot në Gjykatën e Qarkut përmes lidhjes video dhe e pranoi fajin për prishje të qetësisë, një vepër penale që mund të dënohet deri me tre muaj burg, një gjobë prej 1,500 dollarësh, ose të dyja së bashku.
Gjatë shpalljes së vendimit, Wen i siguroi gjykatësin se nuk do të përsëriste më një veprim të tillë.
Pamjet e incidentit të 13 nëntorit tregojnë momentin kur ai kalon barrierën dhe shtyhet përmes fotografëve për t’u afruar te Ariana Grande në tapetin e verdhë. Aktorja Cynthia Erivo shihet duke e tërhequr këngëtaren e frikësuar ndërsa ndërhyn sigurimi i eventit.
Ngjarja u zhvillua në Universal Studios Singapore në Sentosa, si pjesë e turneut promovues ndërkombëtar për “Wicked: For Good”, premiera e të cilit është planifikuar për 21 nëntor.
Në profilin e Wen në Instagram gjenden edhe video të incidenteve tjera të ngjashme në evente si koncertet e Katy Perry, The Weeknd dhe The Chainsmokers. /A.Z/UBT News/
