Rreth 40 përqind janë shtuar kërkesat për ndihmë nga familjet në nevojë gjatë vitit të kaluar. Janë 14 mijë familje të cilat po ndihmohen nga Kryqi i Kuq, ndërkohë që gjatë vitit 2020 janë shpërndarë mbi 30 mijë pako ushqimore dhe higjienike. Rastet e reja të paraqitura janë shumica e personave që kanë humbur vendet e punës gjatë periudhës së pandemisë.
720 familje të tjera janë ndihmuar nga organizata “Nënë dhe fëmijë të lumtur”. Këto familje u ndihmuan me ilaçe, pako ushqimore, e të shumtë janë ata që u bënë edhe me shtëpi. Që nga muaji mars në rrjete sociale janë hapur edhe shumë grupe për të ndihmuar nevojtarët.
Rritjen e numrit të familjeve të varfra gjatë kohës së pandemisë e konfirmojnë edhe në Kryqin e Kuq të Kosovës. Armend Shala nga kjo organizatë thotë se qysh nga fillimi i vitit, por edhe nga përhapja e pandemisë është rritur kërkesa e qytetarëve për ndihma.
“Si Kryq i Kuq i Kosovës, deri më tani kemi shpërndarë mbi 30 mijë pako ushqimore dhe higjienike. Herën e fundit i kishim donatorin nga ‘Gjysmëhëna e kuqe’ e Katarit, ku kanë dhuruar një donacion prej 20 mijë dollarëve, për blerjen e rrobave për të rritur dhe fëmijë dhe familjet në nevojë. Tani jemi duke bërë shpërndarjen e tyre. Po ashtu, edhe një grup nga diaspora kanë dhuruar një 107 pako ushqimore dhe këto jemi duke i shpërndarë në periudhën e festave”, njofton Shala.
Kryqi i Kuq i Kosovës aktualisht po ndihmon rreth 14 mijë familje në nivel vendi. Nga 13 marsi është ngritur edhe qendra operative emergjente për situatën e krijuar me COVID-19.
“Në nivel vendi përpara i kemi pasur listat mbi 10 mijë familje që i kemi ndihmuar dhe deri më tani kemi vërejtur që ka pasur diku 30 përqind deri në 40 përqind rritje nga kjo që kemi pasur ekzistuesja. Ne si Kryqi i Kuq i Kosovës jemi munduar që t’i dalim në ndihmë të gjithë atyre, të cilët kanë kërkuar ndihmën tonë. Tani për tani ndihmojmë rreth 14 mijë familje në nivel vendi, në gjithë Republikën e Kosovës, me pako ushqimore, higjienike, veshmbathje dhe të tjera. Ato që ne i kemi mundësitë dhe që ofrohen prej donatorëve”, shton ai.
Shumica e rasteve të reja që kanë kërkuar ndihmë, janë personat të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës pas pandemisë. E që më së shumti kanë qenë punëtorët e ndërtimtarisë si dhe punëtorët ditorë të cilët kanë humbur vendet e punës. Kryqi i Kuq i Kosovës tanimë ka filluar projektin edhe për personat të cilët janë të vetmuar.
“Kemi filluar herën e parë, diku 500 raste i kemi identifikuar (persona të vetmuar), në nivel vendi. Ndërsa, tash i kemi mbështetjen nga donatori UNFPA që deri në fund të vitit mendojmë të përkrahim rreth 1500 raste të tilla”, thekson Shala.
Tash e gjashtë vjet, familjet në nevojë po ndihmohen edhe nga organizata “Nënë dhe fëmijë të lumtur”. Drejtoresha Edita Dula thotë se kërkesat më të mëdha gjatë kësaj kohe kanë qenë për ilaçe.
“Kemi ndihmuar shumë fëmijë me ilaçe të ndryshme që kanë dhuruar njerëzit, kryesisht se krejt organizata funksionon prej njerëzve të vullnetit të mirë. Pastaj më së shumti prioritet i kemi nënat vetushqyese. Dhe disave prej tyre ju kemi bërë edhe zgjidhje për banim. Pastaj dy familje i kemi bërë edhe me banesa, normalisht donatorët, por kanë ardhur edhe e kanë zgjedhur familjen këtu. Pastaj vazhdimisht ndihmojmë në mënyrat më të ndryshmet, secili prej donatorëve këtu ka pasur mundësi të zgjedh se si dëshiron të ndihmojë një familje. Ka pasur të tillë që kanë zgjedhur një familje për çdo muaj që ka marrë pako ushqimore prej atij personi”, tregon Dula.
Shumë nga donatorët kanë ndihmuar fëmijët e diagnostikuar me sëmundje të rënda për operime jashtë vendit. Numri i rasteve që janë paraqitur pranë organizatës ka kaluar shifrën prej 700 sosh.
“Në organizatë janë të regjistruar 720 familje, me saktësi. Diku afër 300 janë nëna vetushqyese. Në baza ditore vazhdimisht kemi ndihmuar këto nëna dhe këto familje. Në kohën e pandemisë në fakt janë shtuar kërkesat për t’u regjistruar familjet e reja, por ne nuk kemi pasur mundësi t’i regjistrojmë, por për ato që janë vazhdimisht janë shpërndarë pako ushqimore të ndryshme. Kërkesa më e madhe tash që e kam prej shumë nënave kryesisht është për ilaçe, sidomos për fëmijët që i kanë me sëmundje kronike. Ka të ndryshme që kërkojnë donatorë për analiza të ndryshme që zakonisht bëhen privat, dhe nuk bëhen në të shtetit dhe ajo me një social nuk ka mundësi që të bëjë ato analiza”, tregon Dula.
Dula u ka bërë thirrje institucioneve që të kenë prioritet rastet sociale.
“Kisha bërë kërkesë që sidomos këto nëna të vetme të kenë një mbështetje më të madhe sepse shumica prej tyre nuk kanë mbështetje familjare e lë më institucionale. Shumica prej tyre jetojnë me qira, jetojnë në kushte shumë të vështira. Por gjithashtu që këto familje të kenë një lirim të paktën në kryerjen në shërbime, sidomos për fëmijët e sëmurë, pastaj ka prej tyre që nuk kanë informatë se ku t’i dërgojnë fëmijët që kanë sëmundje të ndryshme dhe vijnë kërkojnë ndihmë”, shprehet Dula.
Pandemia ka rënduar gjendjen edhe ashtu të rëndë, të familjeve në nevojë. Shteti me fillimin e pandemisë kishte vendosur që të dyfishojë shumën e të hollave që marrin këto familje për tre muaj. Në Kosovë 24 mijë familje apo rreth 7% e ekonomive familjare varen nga ndihma sociale e shtetit.