Pakistani i ka hapur edhe tri pikëkalime të tjera kufitare për ta lehtësuar largimin e emigrantëve afganë të cilët po dëbohen drejt Afganistanit.
Mediat pakistaneze raportuan të hënën se tri rrugët e reja janë hapur në Saifullah Fort të provincës Balochistan dhe në zonën e Noorhabit.
Më shumë se 300.000 afganë pa dokumente janë larguar nga Pakistani deri tani, pasi Qeveria në Islamabad njoftoi muajin e kaluar se më shumë se 1.7 milion të huaj pa dokumente duhet të largohen deri më 1 nëntor, ose do të përballen me arrestim dhe dëbim.
Numri i pikëkalimeve kufitare është rritur në pesë tani.
Rreth 15.000 afganë po e kalojnë kufirin nga Pakistani për në Afganistan çdo ditë tani. Para ultimatumit të Qeverisë, rreth 300 afganë e kalonin kufirin brenda ditës.
Agjencitë humanitare ndërkombëtare kanë raportuan për skena dëshpëruese kaosi në mesin e afganëve që janë kthyer nga Pakistani.
“Shumë afganë në Pakistan janë duke u përballur tani me bastisje policore dhe shkatërrim të shtëpive të tyre pa proces ligjor. Të arrestuarve u është mohuar e drejta për avokat mbrojtës dhe komunikimi me anëtarë të familjes”, tha Amnesty International në X.
Pse po i dëbon afganët Pakistani?
Qeveria e Pakistanit tha se dëbimi i afganëve, për të cilët thotë se po jetojnë jashtëligjshëm në Pakistan, është nxitur nga një krizë e sigurisë, pas një rritjeje të numrit të sulmeve në rajonet kufitare të Pakistanit në muajt e fundit.
“Kanë ndodhur 24 raste të sulmeve vetëvrasëse prej janarit, 14 prej të cilave u kryen nga shtetasit afganë”, tha ministri i Brendshëm në detyrë i Pakistanit, Sarfraz Bugati, kur njoftoi për urdhrin në fillim të muajit tetor.
Pakistani e akuzon Qeverinë talibane se po i strehon grupet militante të cilat i fajëson për sulmet, siç janë Pakistani Taliban (TTP) – një grup i ndarë nga talibanët afganë, por me ideologji të njëjtë.
Pakistani është duke u munduar ta luftojë edhe kontrabandën kufitare, për të cilën thotë se po e thellon krizën ekonomike në vend, duke i rritur kontrollet në pikat e ligjshme kalimtare./REL