UBT News

​Pakistani e Afganistani pajtohen për armëpushim

Pakistani dhe Afganistani ranë dakord sot për armëpushim 48-orë pas përleshjeve përgjatë kufirit të tyre të përbashkët, thanë deklaratat zyrtare nga të dyja palët.

Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se armëpushimi hyri në fuqi duke filluar nga ora 18:00, raporton KosovaPress.

Të dyja palët, tha deklarata pakistaneze, do të përpiqen “sinqerisht” ta zgjidhin këtë çështje “të ndërlikuar, por të zgjidhshme” përmes negociatave konstruktive.

Zabihullah Mujahid, zëdhënës i administratës së përkohshme afgane, konfirmoi gjithashtu se Kabuli kishte arritur një armëpushim me Islamabadin. Ai shtoi se Kabuli “i ka drejtuar të gjitha forcat e tij të respektojnë armëpushimin … përveç nëse ndodh ndonjë agresion”.

Ky është armëpushimi i dytë që nga kjo fundjavë, pasi të dyja palët u përleshën të shtunën në mbrëmje, por u ndalën pas ndërmjetësimit nga Katari dhe Arabia Saudite.

Zhvillimi i fundit vjen pas përleshjeve të reja kufitare midis palëve që nga nata e së martës. Në mëngjesin e sotëm, Kabuli tha se 12 shtetas afganë ishin vrarë në përleshje me forcat pakistaneze.

Dhjetëra ushtarë dhe civilë u vranë gjatë fundjavës në disa nga përleshjet më vdekjeprurëse midis dy palëve që nga viti 2021, kur talebanët afganë u rikthyen në pushtet në Kabul.

Tensionet e fundit filluan javën e kaluar kur Kabuli akuzoi Islamabadin për shkelje të një armëpushimi afgan, transmeton Anadollu./D.b/KP

Exit mobile version