UBT News

Pakënaqësi rreth vendimit të Qeverisë për pagesën e polisës kufitare për diasporën

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e primit të sigurimit kufitar, shërbim ky që planifikohet të mbulohet tërësisht nga Qeveria e Kosovës për të huajt që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Lëvizja FOL, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Rron Gjinovci vendimin e Qeverisë Kurti e quajnë të paarsyeshëm.

“Ky shpenzim në këtë formë është plotësisht i pa justifikueshëm, e promovon një model të pabarazisë sociale ku shteti ndërhyn për të subvencionuar pronarin e automjetit që në parim është një individ me status relativisht solid pasuror, dhe mundëson një sjellje të qeverisë që përmes klientelizimit të të subvencionuarit t’i përfitoj atij mbështetjen politike. Vendimi si i tillë promovon një model jo të mirë të politik-bërjes, dhe është në kundërshtim me modele zhvillimore ekonomike, marrë parasysh që përfitues janë kategori siç janë personat privatë dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), e cila ka një histori të gjatë të lidhjeve korruptive me familjarë të ish-pushtetarëve të kaluar”, thuhet në reagim.

Në vend të kësaj, shoqëria civile kërkon nga Qeveria që përmes Byrosë Kosovare të Sigurimit të fusë Kosovën në Kartonin e Gjelbër, e jo të ndërmarrë veprime që shkaktojnë shpenzime luksi në kurriz të qytetarëve të varfër.

“Ne e shohim këtë vendim të Qeverisë si të pamatur dhe palogjikshëm. Qeveria duhet të tregohet e matur dhe serioze, duke i shmangur vendimet populiste që e fusin Kosovën në obligime për shkak të mirëqenies së ulët ekonomike në vend”, thuhet në reagim.

Exit mobile version