Rreth 45 mijë protestues dolën në rrugët e Madridit duke kërkuar paga më të larta për t’i ndihmuar në përballimin me inflacionin, transmeton Anadolu Agency.
Protesta me sloganin “Pagë ose konflikt” u organizua nga dy sindikatat kryesore spanjolle, respektivisht nga Sindikata e Përgjithshme e Punëtorëve (UGT) dhe Komisionet e Punëtorëve (ÇOO).
“Kjo është një shenjë e pa gabueshme se ka një atmosferë konflikti, sepse punëtorët nuk do ta pranojnë në mënyrë paqësore se çmimet do të vazhdojnë të rriten, se kompanitë do të vazhdojnë të bëjnë fitime rekord pa rritur pagat”, tha në protestë Unai Sordo Calvo, kreu i ÇOO-së.
Sipas një studimi të fundit nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), punëtorët spanjoll do të shohin që pagat reale do të bien mesatarisht me 4,5 për qind këtë vit.
Derisa Spanja udhëhiqet nga një qeveri e koalicioni progresiv, politikanët nuk kanë gjetur një mënyrë për të ndaluar punëtorët mesatar që të humbasin fuqinë blerëse.
“Pagat reale po bien në Spanjë pasi kostoja e jetesës bëhet më e shtrenjtë. Ndërkohë, bizneset e mëdha kanë rritur fitimet e tyre shumë-miliardëshe”, shkroi në Twitter Alberto Garzon, ministër i Çështjeve të Konsumatorit, në mbështetje të protestave.
Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë në Spanjë është 12,6 për qind. Kjo shifër është e lartë në krahasim me shumicën e vendeve evropiane, por sipas Ministrisë së Punës së Spanjës, është një shifër historikisht e ulët në krahasim me mesataren kombëtare prej rreth 17 për qind.
Derisa inflacioni në Spanjë në muajin tetor arriti në 7,3 për qind, shumë më poshtë mesatares së BE-së prej 10,7 për qind, inflacioni i këtij vendi në baza vjetore në muajin korrik arriti në 10,8 për qind.