UBT News

Paga shtesë për personelin shëndetësor deri në fund të vitit

Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për kryerjen e pagesave shtesë për punëtorët shëndetësorë.

Marrëveshja u arrit në takimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, me përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK), të udhëhequr nga kryetari Blerim Syla, së bashku me nënkryetarët, Blerim Delija dhe Xhemajl Selmani, ku u pajtuan për pagesat shtesë për të punësuarit në institucionet publike shëndetësore të Republikës së Kosovës, në sistemin primar, sekondar dhe terciar, deri në fund të vitit 2020, bazuar në ligjin AntiCovid.

“Duke marrë në konsideratë mundësitë financiare që Qeveria e Republikës së Kosovës ka në këtë periudhë, për të mbështetur të punësuarit në sistemin publik shëndetësorë, palët u morën vesh që pagesat shtesë për muajit shtator-dhjetor të jenë si në vijim: 1. Mjekët – 250 euro në muaj, 2. Infermierët – 150 euro në muaj, 3. Stafi mbështetës – 100 euro në muaj”, njofton Zyra e kryeministrit.

Hoti u zotua se Qeveria në afat shumë të shkurtër kohor do të kryejë edhe pagesat shtesë për stafin mbështetës, për muajt korrik dhe gusht të këtij viti.

Palët po ashtu janë dakorduar që në fillim të vitit të ardhshëm të diskutohen mundësitë për pagesat shtesë, për kohën sa do të zgjasë pandemia me Covid-19 në Kosovë./UBTNews

Exit mobile version