Vendet e varura nga turizmi janë në garë për të rihapur kufijtë dhe ringjallje të ekonomive të dëmtuara rëndë nga pandemia.
Këshilli Botëror për Udhëtim dhe Turizëm ka vlerësuar se ky sektor ka humbur gati 4.5 trilionë dollarë dhe 62 milionë vende të punës vitin e kaluar.
Kompanitë ajrore kanë humbur 126 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe janë në rrugë për të humbur edhe 48 miliardë dollarë këtë vit, sipas këtij grupi.
Dhënia e vaksinave kundër koronavirusit është duke iu dhënë zyrtarëve më shumë besim për të mirëpritur vizitorët, mirëpo koha është kritike.
“Vera është sezonë e vrullshme për shumë tregje, sidomos në Evropë dhe Britani të Madhe. Ne shpresojmë shumë që të shohim heqjen e kufizimeve”, ka thënë Virginia Messina, lidere e përkohshme në Këshillin Botëror për Udhëtime dhe Turizëm.
Mirëpo rregullat janë gjithandej të ndryshme dhe vështirë për t’u ndjekur nga secili që planifikon të udhëtojë.
Qiproja, për shembull, ka kufizime për vendet me rrezik të lartë dhe u kërkon pasagjerëve prezantimin e një testi negativ PCR për koronavirus, që është bërë në 72 orët e fundit para udhëtimit, si dhe kërkon një test tjetër në arritje.
Pasagjerëve po ashtu u kërkohet të izolohen derisa të dalin rezultatet e testit.
Constantinos Victoras, menaxher në Hotelin NissiBlu, afër një plazhi me rërë të bardhë, ka thënë se ndonëse shkalla e infektimit në Qipro ka rënë dukshëm në dy javët e fundit, deri në fund të qershorit asgjë nuk do të jetë e sigurt për kompanitë ajrore që të mundësojnë rezervimet.
“Paqartësitë janë shumë të mëdha tani”, ka thënë Victoras.
Agatha dhe Simon Godurkiewicz nga Suedia kanë vendosur të pushojnë në këtë ishull, larg lodhjes së shkaktuar nga pandemia. Sipas tyre, njerëzit duan t’i kthehen një doze të normalitetit.
“Jemi të lodhur nga situata me virusin”, ka thënë Agatha Godurkiewicz.
“Ka qenë panik në fillim të pandemisë, mirëpo tani është bërë shumë”.
Shihni më poshtë se si po planifikojnë të rihapen disa rajone për udhëtime.
Evropa ka nisur të rihapet ngadalë, duke testuar durimin e vendeve të Mesdheut që varen shumë nga turizmi, përfshirë, Greqinë, Spanjën dhe Turqinë.
Mirëpo kjo gjë po ndryshon tani, pasi ambasadorët e Bashkimit Evropian janë pajtuar javën e kaluar që të lejojnë hyrjen e vizitorëve të vaksinuar plotësisht dhe synojnë të zgjerojnë listën e shteteve në kategorinë e vendeve të sigurta.
Megjithatë, vendet anëtare të BE-së ende duhet të miratojnë këto ndryshime, dhe ende nuk dihet saktë se kur mund të nisë së zbatuari diçka e tillë.
Turistët veçse kanë nisur të shihen në Greqi, ku autoritetet kanë vendosur që të pranojnë vaksinimin dhe certifikatat e testeve nga Bashkimi Evropian dhe 21 shtete tjera.
Virusi është duke u përhapur me shpejtësi në disa rajone të Azisë, çka ka shtyrë shumë shtete të pezullojnë vendimet për rihapje.
Hong Kongu dhe Singapori kanë shtyrë vendimin e heqjes së karantinës, derisa Hong Kongu ka rritur periudhën e karantinës për vizitorët e pavaksinuar.
Kina ka vendosur kontrolle në aeroporte dhe stacione të trenave, prandaj udhëtarët duhet të tregojnë patjetër testin negativ për koronavirus.
Tajlanda, e cila ka mbyllur kufijtë vitin e kaluar, pati nisur të lejonte gradualisht hyrjen e vizitorëve të huaj. Mirëpo ky shtet ka tërhequr këtë masë, pasi është goditur nga një valë e re e infektimeve në fund të muajit mars.
Bankoku ka mbyllur parqet dhe zonat e argëtimit, ashtu sikurse restorantet.
Rrugët e kryeqytetit dhe zonat turistike janë pothuajse bosh dhe shumë njerëz kanë humbur vendet e punës, të lidhura me turizëm.
“Kam shumë zemërim ndaj qeverisë. Ajo është dashur të punojë më mirë”, ka thënë Narong, punëtor nga Bankoku, për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Në pikun e pandemisë vitin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbyllur kufijtë dhe aeroportet për udhëtarët. Kryeqyteti, Abu Dabi ende zbaton disa kufizime, duke përfshirë masën e karantinës edhe për personat e vaksinuar plotësisht nga disa shtete.
Mirëpo qyteti më i madh i këtij vendi, Dubai, ka hapur dyert për udhëtarët prej korrikut të vitit të kaluar, me pak kufizime, përveç testit negativ për koronavirus.
Ndërkohë shteti më i madh i Gjirit, Arabia Saudite nuk lejon hyrjen e turistëve.
Qytetarëve sauditë, të cilëve u është ndalur udhëtimi nga marsi i vitit 2020, u lejohet të udhëtojnë nga maji i këtij viti, nëse janë vaksinuar apo shëruar nga koronavirusi.
Egjipti ndërkohë është duke tentuar të tërheqë sa më shumë turistë, edhe pse po përballet me valë të re të infektimeve.
Ky vend ka përjashtuar plazhet, kafenetë dhe restorantet nga masa kufizuese. Ky vend madje ka ulur çmimin për viza turistike, ndonëse ende kërkon test negativ për koronavirus, para hyrjes në këtë shtet.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’ua ndalojnë shumicës së vizitorëve nga Evropa, Kina, India, Brazili dhe vendet tjera.
Në udhëtimet e brendshme ndërkombëtare, të gjithë amerikanët duhet të kenë testin negativ për koronavirus para fluturimit.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk inkurajon udhëtimet e jashtme, duke konsideruar pjesën më të madhe të botës me rrezik të lartë.
Kufiri në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë vazhdon të jetë i mbyllur për udhëtimet jo të domosdoshme deri më 21 qershor.
Udhëtimi i brendshëm ajror në SHBA po i afrohet niveleve të vitit 2019, mirëpo grupet e industrisë së udhëtimit besojnë se administrata Biden është duke u vonuar për t’iu mundësuar udhëtarëve ndërkombëtarë hyrjen në tokën amerikane.
“Teksa vazhdojmë të shohim rritje të shkallës së vaksinimit dhe rënie të niveleve të infektimit, është kritike që të hapet udhëtimi ndërkombëtar”, ka thënë Tori Emerson Barnes, nënpresident i Asociacionit Amerikan të Udhëtimit.