Qytetarët e prekur nga ndryshimet klimatike po padisin qeveritë e më shumë se 30 vendeve evropiane në tre raste të veçanta përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar se mosveprimi i shtetit ka shkelur të drejtat e tyre njerëzore.
Këto janë rastet e para të tilla që do të dëgjohen para Gjykatës në Strasburg, Francë, dhe mund të rezultojnë në urdhra për qeveritë e përfshira për të ulur emetimet e dioksidit të karbonit shumë më shpejt se sa është planifikuar aktualisht.
Ja çfarë duhet të dini:
Cilat janë tre rastet?
Rasti i parë që do të dëgjohet të mërkurën e ardhshme fokusohet në ndikimin shëndetësor të valëve të të nxehtit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, në një rast të ngritur nga mijëra gra të moshuara zvicerane kundër qeverisë zvicerane si pjesë e një beteje ligjore gjashtëvjeçare.
Gjithashtu të mërkurën, gjykata do të dëgjojë një çështje të ngritur nga Damien Carême, anëtar i Parlamentit Evropian për partinë e Gjelbër franceze, i cili po sfidon refuzimin e Francës për të marrë masa më ambicioze sa i përket klimës.
Rasti i tretë, që do të dëgjohet pas verës, ka të bëjë me gjashtë të rinj portugez, të cilët po përballen me 33 vende – duke përfshirë të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Britaninë, Norvegjinë, Rusinë, Zvicrën, Turqinë dhe Ukrainën.
Ata gjithashtu argumentojnë se ato vende kanë shkelur të drejtat e tyre dhe duhet të urdhërohen të ndërmarrin veprime më ambicioze për të adresuar ndryshimet klimatike. Gjashtë raste të tjera klimatike janë në pritje.
Rastet do të jenë hera e parë që Gjykata shqyrton nëse politikat e ndryshimeve klimatike mund të cenojnë të drejtat e njeriut të parashikuara në Konventën Evropiane.
Gratë zvicerane argumentojnë se duke dështuar në uljen e emetimeve në përputhje me hapat që kufizojnë ngrohjen globale në 1.5C, Berna shkeli, ndër të tjera, të drejtën e tyre për jetë.
Çështja citon Panelin Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike – i cili gjeti me besim shumë të lartë se gratë dhe të moshuarit janë ndër ata që rrezikohen më shumë nga vdekshmëria e lidhur me temperaturën gjatë valëve të të nxehtit./UBTNews/