Kreu i AKR-së, Begjet Pacolli, ka thënë se 17 vjet pas pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës, ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se që nga viti 2009 ka lobuar dhe ka biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet.
“Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të! Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet. Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016”, ka shkruar Pacolli.
Presidenti i AKR-së ka theksuar se në vitin 2023, gjatë vizitës së tij në Nairobi, presidenti Ruto mori vendim që Kenia të njohë pasaportat e Kosovës.
“Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia. Kjo është diplomaci me rezultat. Kjo është Kosova që e respektojnë. Kjo është fitorja e dinjitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare! I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Keninë dhe të hapë një ambasadë të përbashkët me Republikën e Shqipërisë në Nairobi”, ka shkruar Pacolli.
Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ende nuk ka konfirmuar lajmin për njohjen nga Kenia, raporton KosovaPress.