Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli ka informuar për dy hulumtime të cilat i ka bërë komisioni e që lidhen me tjetërsimin e dy pronave publike, për çfarë tha se në bazë të analizave, është kuptuar se tjetërsimi ka ndodhur në mënyrë të jashtëligjshme.
Në një konferencë për media, Pacolli ka thënë se bëhet fjalë për tjetërsimin e pronës publike tek Fakulteti Teknik dhe për tjetërsimin e pronës publike të Radio Televizionit të Kosovës. Ndërsa, ka thënë se këtë lëndë do të dorëzojnë tek prokurori i shtetit.
Ajo ka thënë se rasti i parë bëhet fjalë për tjetërsimin e pronës publike me sipërfaqe prej 68 ari, pronë kjo në kompleksin e parcelave të Fakultetit Teknik.
“Neve na kanë ardhë si kërkesa në komisionin tonë që t’i trajtojmë, sepse Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim mbulon edhe çështjen e kadastrit që i bie çështjen e pronave, kështu na kanë kërkuar qytetarët që ne ta analizojmë këtë gjendje dhe të shohim se cilat janë hapat ose të rekomandojmë hapa tutje. Ne si komision i kemi analizuar dy rastet. Rasti i parë bëhet fjalë për tjetërsimin e pronës publike me sipërfaqe prej 68 ari, pronë kjo në kompleksin e parcelave të Fakultetit Teknik dhe nga të gjeturat që kemi bërë si komision dyshohet se prona publike është tjetërsuar kundërligjshëm nga se edhe në bazë të hulumtimeve origjinalin e këtij aktgjykimi nuk e kemi gjetur në asnjë vend në Kosovë. Pra, kanë munguar dokumentet bazë të cilat e dëshmojnë që tjetërsimi ka mundur të ndodhë në mënyrë ligjore. Tani, Universitetit të Prishtinës pikërisht për këtë lëndë i kërkohen mbi 2 milionë euro qira për t’i paguar kësaj toke për shfrytëzimin e saj”, tha Pacolli.
Ndërsa, ka shtuar se rasti i dytë bëhet fjalë për pronën publike të Radio Televizorit të Prishtinës me sipërfaqe prej 3.92 hektarë, në zonën kadastrale të Çagllavicës.
“Rasti i dytë bëhet fjalë për pronën publike të Radio Televizorit të Prishtinës me sipërfaqe prej 3.92 hektarë, pra në zonën kadastrale të Çagllavicës. Ky tjetërsim i pronës publike është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Dyshimet sërish janë se ky aktgjykim mund të jetë i falsifikuar, prandaj ne si deputetë e kemi kërkuar origjinalin e këtij aktgjykimit në Gjykatën Themelore të Prizrenit, në Arikvën Shtetërore të Kosovës dhe askund nuk e kemi gjetur…Ne sot këtë lëndë menjëherë pas konferencës e dorëzojmë tek prokurori i shtetit, sepse roli jonë si deputet përfundon këtu. Pra, ne kemi gjetur gjitha të dhënat që janë shumë interesante të rëndësishme që t’i trajtojë prokurori i shtetit”, ka shtuar Pacolli.
Në anën tjetër, deputeti, Milazim Salijaj ka thënë se në këtë hulumtim nuk kanë gjetur dokumentacionin origjinalë dhe kjo krijon dyshime në tjetërsim të paligjshëm. Ai ka shtuar se vlera e rastit të RTP-së, është mbi 12 milionë euro.
“Kemi shqyrtuar të dy shqetësimet dhe për pronën te Fakulteti Teknik kemi ngritur shqetësimet tona në lidhje me tjetërsimin e kësaj prone…Kemi analizuar me detaje dhe nuk kemi gjetur dokumentin origjinal dyshohet… Konform kësaj, përkundër këtij aktgjykimi që është i dyshimtë, prona është tjetërsuar paraprakisht në emër të Azemine Sahiti. Nga ajo që kemi vërejtur bëhet fjalë për tjetërsim të kundërligjshëm të pronës publike…Gjithashtu komisioni pas hetimeve të ngritura nga ana e sindikatës së Radio Televizonit të Prishtinës kemi kontaktuar dhe kjo çështje është ngritur gjithashtu në komision, e kemi trajtuar në detaje, kemi vizituar me anëtarët tjerë të komisionit paraprakisht zyrën kadastrale në Prizren, aty ku e ka edhe burimin ky keqpërdorim, kemi vizituar Gjykatën Themelore në Prizren…Vlera e pronës është diku mbi 12 milionë euro, jemi ardhur në përfundim qe nuk është gjetur askund një dokument origjinal”, tha Salijaj.