Komandanti i ri i KFOR në Kosovë, Ozkan Ulutash ka marrë zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij, Enrico Barduani.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR kanë marrë pjesë edhe liderët e institucioneve të Kosovës, Vjosa Osmani presidente, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ish presidentja Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Në këtë ceremoni Vjosa Osmani falenderoi misionin e KFOR-it për shërbimin në Kosovë.
Ajo theksoi se populli i Kosovës është i rreshtuar me vlerat e lirisë e demokracisë, prandaj siç tha Osmani aspirata e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO nuk është thjesht një zgjedhje strategjike, por një pasqyrim i asaj se kush jemi.
“Kosova gjithmonë do të mbetet mirënjohëse për shërbimin tuaj, për sakrificën tuaj dhe për përkushtimin tuaj të palëkundur për paqe. Uroj që ky mision të vazhdojë të qëndrojë si simbol i angazhimit të qëndrueshëm të NATO-s dhe si një premtim i gjallë se, së bashku, uniteti vërtet i kapërcen të gjitha. Kjo kauzë e madhe, pa dyshim, kërkon përpjekjen e secilit prej nesh. Historikisht edhe sot, populli i Republikës së Kosovës gjithmonë është rreshtuar me vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë kolektive. Kjo është arsyeja pse aspirata jonë për t’u anëtarësuar në NATO nuk është thjesht një zgjedhje strategjike, por një pasqyrim i asaj se kush jemi. Në kohë kur kërcënimet ndaj paqes po shtohen, aleanca është më e fortë kur qëndron pranë partnerëve që vërtet kanë dëshmuar përkushtimin e tyre. Kosova e ka bërë këtë vazhdimisht – përmes qëndrueshmërisë sonë, reformave tona dhe vendosmërisë së popullit tonë. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë krah aleatëve tanë, sepse vetëm së bashku mund të sigurojmë që paqja e fituar me mund sot, të bëhet paqja e qëndrueshme e së nesërmes”, theksoi ajo.
Kujtojmë se gjeneral major, Enrico Barduani shërbeu si komandant i 29-të i KFOR-it, teksa gjeneral major, Ozkan Ulutash do të marrë komandën si komandant i 30-të i KFOR-it./D.B/KP