Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka uruar Shtetet e Bashkuara për Ditën e Pavarësisë.
“Në këtë ditë të shënuar për miqtë tanë të përhershëm, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpreh urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e përjetshme për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në urim.
OVL e UÇK-së vuri në dukje se populli amerikan ka qenë gjithmonë përkrah Kosovës në momentet më të rënda historike.
“Mbështetja e SHBA-së ka qenë vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe shtetësisë, dhe roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm për Kosovën. Në këtë ditë të veçantë, u shprehim mirënjohje të veçantë edhe ushtarëve amerikanë që shërbejnë sot në Kosovë, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të përditshëm për paqe dhe siguri”.
Ne, ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi gjithmonë ushtarë të lirisë, dhe në zemrën tonë, jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës. Kurdo që nevoja e drejtësisë, paqes apo miqësisë së sinqertë e kërkon, jemi të gatshëm të qëndrojmë përkrah SHBA-së”, thuhet në urimin e OVL-së të UÇK-së.