Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë gjithëpopullore për të premten, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Thirrja u bë e ditur në një konferencë për media, ku Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë tentuar të vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me ngjarjet e viteve 1998-1999.
Syla deklaroi se OVL e UÇK-së e konsideron procesin gjyqësor në Hagë si të padrejtë dhe tha se, sipas tij, vendimi i fundit nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës së UÇK-së.
Ai bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin edhe hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku do të përfshiheshin edhe shqiptarët nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora.
Sipas Sylës, organizatat do të kërkojnë gjithashtu një strategji kundërshtuese ndaj vendimit deri në përfundimin e procesit të apelit, me përfshirjen e institucioneve, partive parlamentare dhe shoqërisë civile.
Ndërkohë, ai njoftoi se OVL e UÇK-së dhe disa shoqata të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës do t’i bashkohen edhe protestës së studentëve, e cila është paralajmëruar për sot në orën 16:30.
Gjykata Speciale i dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Ata u shpallën fajtorë për vepra të krimeve të luftës, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme./A.K/
