UBT News

OVL e UÇK-së kundërshton kërkesat për dënime ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka shprehur shqetësim lidhur me kërkesat e fundit të Prokurorisë së Specializuar për dënimin e Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt, në rastin e pretenduar të pengimit të drejtësisë.

OVL e UÇK-së ka thënë se këto kërkesa nuk përbëjnë befasi, duke kritikuar qasjen e Prokurorisë së Specializuar ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Ato vijnë nga e njëjta Prokurori e Specializuar, e cila gjatë gjithë këtij procesi ka ndërtuar një qasje të njëanshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe ka ngritur akuza mbi një material të kontestueshëm, përfshirë edhe materiale të ardhura nga Serbia”, thuhet në reagimin e OVL-së.

Sipas tyre, kërkesat për dënime të rënda ngrejnë pikëpyetje nëse Prokuroria po përpiqet të arsyetojë punën e saj pas proceseve të zhvilluara në Hagë.

“Vendimi duhet të mbështetet në ligj dhe në standardet më të larta të drejtësisë, e jo në narrativat e Prokurorisë. Lufta e UÇK-së nuk mund të kriminalizohet përmes proceseve të njëanshme dhe drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime politike”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së ka theksuar se, pavarësisht kritikave ndaj Prokurorisë, pret që gjykatësit të vendosin në bazë të ligjit dhe standardeve të drejtësisë./A.K/

Exit mobile version