Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 30 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.
Osmani kujtoi tetë mijë djem e burra boshnjakë të cilët u vranë nga regjimi i Millosheviqit.
“Kosova qëndron përkrah tyre, sepse ne e dimë çfarë do të thotë dhimbja e humbja, por dhe angazhimi i palodhur për drejtësi. Le të mos harrojmë kurrë, le të mos heshtim kurrë”, shkroi Osmani në Facebook.
Bosnja e Hercegovina sot shënon 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Edhe pas 30 vjet prej vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.
Çdo vit, më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore në Potoçari.