Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke folur për dhunën me bazë gjinore në Kosovë, ka thënë se vrasjet e grave kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershme të institucioneve përgjegjëse për parandalimin e tyre.
Kështu ka thënë ajo gjatë takimin të radhës të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, raporton Klan Kosova.
“Por, mbi të gjitha parandalim që ishte edhe shtylla e parë e identifikuar në masat që duhet të ndërmerren gjatë takimit tonë të fundit. Shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë ku gratë ishin viktima të partnerëve të tyre kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershme të institucioneve përgjegjëse për parandalimin e tyre”, është shprehur ajo.
Sipas saj, kjo mund të dëshmohet që nga rasti i Diana Kastratit e deri te rasti më i fundit i Liridona Ademajt.
“Pra siç e thashë është një alarm i madh për institucionet se duhet të fuqizohet çdo hallkë nga ato të sigurisë e deri te ato të drejtësisë”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.