Osmani, në konferencën për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI, tha se duhet të luftohet me ngulm mosnormalizimi i dhunës.
“Ajo çfarë ndodhi para disa ditësh me rastin e vrasjes së Liridonës që ndodhi përgjatë 16 ditëve të aktivizimit, siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar duhet të jetë zgjim i ndërgjegjes tonë kolektive. Për fat të keq ajo çfarë po ndodh për vite me radhë është se po normalizohet dhuna. Këtë duhet të luftojmë me ngulm. Kjo është sfidë e gjithë shoqërisë”, tha Osmani.
Krahas kësaj, Osmani pati një kërkesë ndaj sistemit të drejtësisë, derisa tha se ka disa mangësi në mënyrën si funksionon adresimi i çështjes së dhunës në baza gjinore.
“E dyta që është sfidë e institucioneve duhet të shkojmë nga ashpërsimi i dënimeve, deri tek fuqizimi i mekanizmave, pasi në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, luftimin e dhunës në baza gjinore e kemi në top prioritete kryesore. Janë identifikuar një sërë mungesash në mënyrën sesi funksion zinxhiri i institucioneve jo vetëm të sigurisë, por edhe të tjera në mënyrë që çështje e dhunës në baza gjinore të përcillet nga fillimi deri në fund. Është esenciale që dënimet e institucioneve tona të drejtësisë mos të jenë të tilla që të inkurajojnë dhunuesit”, tha Osmani.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se vrasja e Ademajt tregon sesa është urgjente të punohet në adresimin e femicidit.
“Këtë javë patëm edhe një lajm tjetër për një rast të femicidit. Kjo tregon sesa është urgjente të punojmë në adresimin e këtyre çështjeve në nivel të shoqërisë…Edhe pse kemi pa një përparim gradual; në përfaqësimin e grave në niveli lokal dhe qendror, por ka ende shumë vend për përmirësim dhe nuk po flas vetëm për Kosovën”, tha Hovenier.