Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përtej detyrimit politik, si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve e kanë njerëzor e human ta ngrisin zërin për viktimat dhe familjet e tyre.
Osmani në një shkrim në Facebook u shpreh se Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin
“Gjetja e mbetjeve mortore në një lokacion në Rashkë të Serbisë, disa ditë më parë, rikthen vëmendjen te 1643 personat e pagjetur, për të cilët ende familjet presin në antkh dhe për të cilat nuk ka informacion as shteti i Kosovës. Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin. Fshehja e fakteve është krim në vete, ndaj çfarëdo vonese në këtë plan, është krim i dyfishtë. Veprimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë ende nuk kanë marrë përgjigje”, shkroi ajo në Facebook.
Sipas Osmanit, pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme.
“Prandaj secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë”, shkroi ajo më tej në Facebook.
Më tej Osmani thotë se janë lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë.
“Për të gjithë ata që pyesin “Çfarë ka Kosova për t’i dhënë Serbisë si kompromis në dialog”, përgjigja jonë, njëzëri, duhet të jetë: Dëgjoni rrëfimet e familjeve të viktimave. Kosova nuk ka asgjë tjetër për të dhënë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj…Ka dhënë fëmijët e saj. Kjo është e vërteta të cilën nuk do të lodhemi asnjëherë duke e treguar!”, përfundoi ajo./UBTNews