Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet kuadratet e Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë bërë parakalimin. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin krerët më të lartë të shtetit.
Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani tha se është krenare për parakalimin e ushtrisë dhe policisë. Ajo tha se këta djem dhe vajza janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës.
“Jam krenare që ndodhem sot këtu para jush në këtë parakalim të ushtrisë tonë në 14-vjetorin e Republikës së Kosovës. 14 vite të shtetësisë së Kosovës nuk janë shumë, por nuk janë aspak për ta kujtuar rrugën e vështirë për ta bërë shtetin. Këta djem dhe vajza që do të parakalojnë para jush janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës, ata nuk janë vetëm siguria jonë, por edhe garanca për çdo cep të territorit të Kosovës. Ata janë identiteti i shtetit tonë të ri për të cilin dhamë shumë mund dhe për të cilin po punojmë çdo ditë e më shumë. Secili nga njerëzit e këtij vendi ka bërë diçka për këtë ditë, secili në mënyrën e vetë ka bërë diçka që Kosova të bëhet shtet prandaj sot jemi këtu dhe përulemi me respektin më të madh ndaj gjithë atyre që ëndrrën tonë për shtetin e bënë realitet”, ka deklaruar Osmani.
Sot shënohet 14-vjetori i shpalljes së Pavarësisë të Kosovës.