Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i janë bashkangjitur edhe një gjeneratë e ushtarëve të rinj. 325 pjesëtar të rinj të kësaj force janë betuar për shërbim në këtë institucion, numër ky më i larti që ka diplomuar ndonjëherë në ushtri.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe autoritetet më të larta shtetërore, të cilët njëherazi u shprehen krenarë më të arriturat e FSK-së.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është shprehur krenare nga ky sukses i ushtareve të rinj, për të cilën tha se të njëjtit janë trashëgimtarë të UÇK-së.
“Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që sot në këtë ceremoni të veçantë ndajmë së bashku emocionet e festës dhe të kurorëzimit të suksesit të madh të 325 djemve e vajzave tona të gjeneratës 2023 të FSK-së. Të dashur ushtar të rinj të kësaj gjenerate, jam krenare që sot ju mbani uniformën e Forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës dhe stërvitjes duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtar e ushtare të FSK-së e duke filluar rrugëtimin tuaj me plot sfida në mbrojtje të atdheut tonë të dashur, Republikës së Kosovës. Ju duke përvetësuar mësimet e trajnimet jeni formësuar dhe zhvilluar në ushtarak me karakter që përvetësojnë idealet e shenjta të detyrës, nderit dhe atdheut të ndërlidhura me vlerat dhe standardet më të larta të ushtarakeve të vendeve anëtare të NATO-s. Përmes programit ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme për të fituar betejat në një rajon e një botë me sfida e kërcënime komplekse si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të vazhdueshme profesionale dhe shërbim ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Osmani tha se në cilësi të komandantes supreme përveç mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë për sukseset dhe të arriturat e FSK-së, ka qenë vazhdimisht e interesuar për statusin e mirëqenies sociale ekonomike të personelit ushtarak të Forcës sonë, me ç’rast shtoi se gjatë vitit të ardhshëm do t’i adresojnë me prioritet çështjet e përmirësimit të mirëqenies socio-ekonomike.
“Rikujtoj edhe më këtë rast se bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e sigurisë së vendit dhe me qëllim të forcimit dhe avancimit të statusit zyrtar dhe përmirësimit të mirëqenies socio-ekonomike të pjesëtarëve të FSK-së gjatë këtij viti së bashku me ekipin tim kemi punuar në hartimin e propozimit për një program shtetëror që bazohet në shtatë shtylla kyçe. E para është realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, realizimi i pagesave të punës me ndërrime apo të kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak për shërbime deri në nivelin terciar për ushtaraket, policët, për ushtarakët dhe policët tanë dhe familjet e tyre, për familjet e ushtareve të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, si dhe për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së UCCK-së, përmirësimi i cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimi i banimit të përballueshëm ndërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushtet e veçanta për ushtarët e FSK-së. Për gjitha çështjet që kërkojnë ndryshime legjislative presidenca do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë, kuvendin dhe institucionet tjera relevante…Ne jemi të vendosur që Kosova të jetë një partner i sigurte dhe kontribuues për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare siç edhe është dëshmuar me ngritjen e buxhetit”, shtoi Osmani.
Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Albin Kurti derisa është shprehur krenar me të arriturat e Forcës së Ushtrisë së Kosovës, është zotuar para ushtarëve që qeveria do t’i përkrahë gjithmonë këtë institucion.
“Grupi juaj është shumë i veçantë, sepse jeni grupi më i madh që ka diplomuar ndonjëherë në ushtrinë tonë, gjithsej 325. Nga sot ju filloni detyrën fisnike, po aq edhe sfiduese për t’i shërbyer atdheut në mbrojtje dhe ruajtje së paqes së patjetërsueshme. U zotuam se ushtria do ta këtë përkrahjen e pakursyer të qeverisë, këtë e kemi dëshmuar çdo vit të qeverisjes sonë. Fillimisht në vitin e parë të qeverisjes në vitin 2021 e ngritëm buxhetin për herë të parë ne vlerë mbi 100 milion euro, nga ai vit buxheti për ushtri ka qenë përherë më i madh dhe gjithmonë në ngritje. Sivjet ai ishte mbi 200 milionë euro apo mbi 2 për qind të bruto produktit vendor sipas kriterit të shteteve anëtare të NATO-s. Pra dyfish më shumë vetëm në krahasim me vitin tonë të parë të qeverisë. Ndërkaq, me ju sot po shënojmë pothuajse dyfishimin e numrit të përgjithshëm të ushtrisë, teksa kemi katërfishuar trajnimet e ushtarakeve në raport me qeverisjet e kaluara. Ushtria jonë po rritet e do të zhvillohet në vazhdimësi me të rinjtë e të reja si ju që duan t’i shërbejnë atdheut pikërisht si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë keni në krahë e që me nder dhe krenari bartin veshur uniformën e FSK-së”, tha Kurti.