Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ndihmës administratoren e USAID-it, Erin E. McKee.
Pas takimit, presidentja Osmani ka thënë se USAID ka bërë punë të madhe në Kosovë dhe një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Osmani ka thënë se ka kërkuar mbështetje edhe në luftën e dhunës mbi baza gjinore për çka ka theksuar se ka marrë mbështetje.
“Prania e rëndësishme e USAID-it këtu dhe vizita sot nuk janë vetëm një shembull i partneritet të fortë në mes dy vendeve, por tregon faktin që Kosova mbetet vend me potencial të madh, ekonomi në rritje e demokraci të avancuar”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se USAID-i ka qenë forcë shtytëse edhe katalizator i ndryshimeve pozitive në vendin tonë, në veçanti në demokraci, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Ndërsa Erin E. McKee ka thënë se do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën në zhvillimin e një gjyqësori të paanshëm.
“USAID-i do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin e një gjyqësori të drejtë dhe të paanshëm, dhe do të ndikojë në zvogëlimin e nivelit të korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Synojmë t’iu mundësojmë të rinjve të realizojnë potencialin e tyre dhe të ndërtojnë një të ardhme që ata dëshirojnë ta shohin në Kosovë”, ka thënë ajo.
McKee ka folur edhe për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, duke thënë se njohja e ndërsjellë në qendër është mënyra më e mirë që Kosovës do t’i ndihmojë t’i përmirësojë raportet me vendet fqinje dhe të zë vendin e vet në mesin e vendeve të tjera në kuadër të integrimeve.