Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh.
Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, do të priten në audiencë nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik. Gjithashtu ajo do të zhvillojë takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.
Gjatë vizitës në Vatikan, Presidentja Osmani do të vizitojë edhe Bazilikën e Shën Pjetrit.
Në selinë e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë, ndërkaq, Osmani do të organizojë një pritje të fundvitit me përfaqësues të Selisë së Shenjtë, përfaqësues diplomatik dhe personalitete të tjera.
Gjatë kësaj vizite ajo do të realizojë edhe një sërë aktivitetesh të tjera me qëllim të thellimit të raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
