Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot (e enjte) se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq para se të vendosen sanksione për agresionin e Serbisë në veri të Kosovës.
Pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian, Osmani theksoi se mbështetja e një agresori, për të cilin ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin.
“Nuk ka asnjë arsye për t’u takuar para se të miratohen sanksionet ndaj Vuçiqit. Së pari sanksionet dhe më pas mund të flasim për pjesën tjetër”, tha Osmani.
E para e vendit ka thënë se pret që edhe Spanja të bashkohet me vendet e tjera të Evropës, që ndajnë mendimin e njëjtë për të marrë masa ndaj Serbisë pas agresionit të 24 shtatorit ku mbet i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
“Spanja është një vend që po kontribuon për paqen dhe stabilitetin në të gjithë kontinentin evropian. Unë shpresoj se ata do të kuptojnë se mbështetja e një agresori, për të cilin ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Kështu që unë shpresoj se Spanja do t’i bashkohet vendeve të tjera të të njëjtit mendim në Evropë për të marrë masa ndaj Serbisë për këtë akt të tmerrshëm që ajo ka kryer jo vetëm kundër Kosovës, por kundër paqes, stabilitetit dhe sigurisë në të gjithë kontinentin evropian”, u shpreh Osmani.