Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur sot ciklin e vizitave nëpër komuna. Ndalesën e parë Osmani e bëri në Gjilan, ku aty u prit nga kryetari Alban Hyseni, e të cilin tha se “do ta mbajë për fjale” për atë se a do ta bëjë Gjilanin komunën më të pastër në Kosovë. Ndërkohë që tha se do të angazhohet të zgjidhë çështjen e ujit të pijes për Gjilanin.
Në një konferencë për media, e para e vendit u shpreh e inkurajuar nga projektet të cilat janë paraparë nga komuna e Gjilanit, derisa ftoi edhe kryetarët e komunave tjera që të marrin pjesë në një “garë” për qytetin më të pastër.
“Kryetari i komunës ka filluar një sërë projektesh në bashkëpunim me institucionet e tjera. Janë jashtëzakonisht inkurajuese sepse do ta shndërrojnë Gjilanin në një qendër të zhvillimit për shumë sektorë. Folëm edhe për arkeologjinë, edhe për bujqësinë dhe mundësitë e mëdha për zhvillimin e agroturizmit, për planet për zonë ekonomike, shndërrimin e Gjilanit në një komunë të gjelbër dhe kryetari i komunës premtoi që do ta shndërroj Gjilanin në qytetin më të pastër në Kosovë, ne do ta mbajmë për fjale dhe natyrisht, inkurajojmë edhe kryetarët e tjerë të komunave që të marrin pjesë në këtë garë”, u shpreh ajo.
Derisa ka bërë të ditur temat për të cilat kanë biseduar me kryetarin e Gjilanit, Osmani premtoi se do të angazhohet të zgjidhë çështjen e ujit të pijes në këtë komunë.
“Diskutuam edhe për problemet e shumta me të cilat ballafaqohet kjo komunë, natyrisht, unë meqenëse e kaloj një pjesë të rëndësishme të vitit këtu në Komunën e Gjilanit, i shoh dhe i preku këto probleme. Natyrisht, njëra nga to është çështja e ujit të pijes, do të bashkëpunoj me kryetarin e Komunës, në mënyrë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, do të bashkëpunoj me organizata ndërkombëtare dhe me shtetet e tjera të shohim se nga cilat shtete mund të marrim edhe ndihmë të drejtpërdrejtë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt, dhe natyrisht edhe me të gjitha institucionet tjera”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo ka treguar edhe arsyen e zgjedhjes së kësaj komune për të nisur ciklin e vizitave të saj.
“E filluam me kryetarin e Gjilanit, i cili është kryetari më i ri në moshë, po ashtu për t’i inkurajuar të rinjtë tanë të angazhohen në politikë, të angazhohen në vendimmarrje sepse si shteti me moshën më të re sa i përket qytetarëve tanë, është e rëndësishme që rinia të ketë zë të rëndësishëm për vendimet që merren për jetën e qytetarëve tanë”, u shpreh ajo.
Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se ndjehet i nderuar që Komuna që ai e udhëheq është përzgjedhur të jetë e para që vizitohet nga presidentja Osmani.
“Na ka nderuar edhe më tepër për shkak se është vizita e parë në komunat e Kosovës. Unë e kam njoftuar presidenten shkurtimisht për disa prej problemeve kryesore, prioritet tona dhe disa prej projekteve që i kemi filluar deri më tani. Ajo që tani është tema kryesore është që ne kemi marrë mbështetje, jo vetëm ne si komunë, por të gjitha komunat e tjera, për të ndihmuar dhe për të shtyrë projektet e përbashkëta”, tha Hyseni.
Presidentja Osmani gjatë rrugës për në Gjilan nëpërmjet një videoje ka potencuar se është mëse e domosdoshme që të ulen me kryetarët e komunave e të falsin për sfidat me të cilat ballafaqohen ata.