Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që aktualisht është në krye të OSBE-së. Në këtë takim, presidentja ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë sa i përket marrëveshjeve të Brukselit.
E para e shtetit ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet në rajon.
“Presidentja Osmani dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Osmani kanë folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast, Presidentja Osmani ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka bërë të ditur Presidenca, përmes një komunikate për media.
Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin e Kosovës me OSBE-në ku presidentja është informuar për prioritetet e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e këtij misioni.
“Presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndëkombëtarisht”, ka njoftuar Presidenca.
Ndërsa në temën e raporteve bilaterale me Maqedoninë së Veriut, presidentja ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre.