Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke aluduar për situatën në veri ka thënë se Kosova është e përkushtuar që sfidat t’i tejkalojë me partnerë e aleatë. Këto komente Osmani i bëri në takimin me kryeministrat evropianë, atë të Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Në komunikatën për media thuhet se takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët.
“Presidentja Osmani falënderoi Holandën dhe Luksemburgun për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënvizoi vlerat dhe qëllimet e përbashkëta që lidhin të tri vendet evropiane së bashku. Më tej, Presidentja Osmani theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, ndaj shtroi nevojën e mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata.
E një pjesë e diskutimit me dy kryeministrat u fokusua në situatën aktuale të sigurisë në veriun e vendit.
Bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në takim, presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë”, thuhet në komunikatë.
Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar.
Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër.
“Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”.
Takimi u përmbyll me rikonfirmimin e përkushtimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit, nxitjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon e më gjerë, thuhet në fund të komunikatës.