UBT News

Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare të saj në Shqipëri. Pas këtij takimi, ajo deklaroi se dy vendet mund të hapin rrugën për integrim.

Osmani ka deklaruar se me Ramën kishte një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të të dy vendeve.

“Me kryeministrin Edi Rama pata një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka thënë Osmani.

Në komunikatën për media thuhet se të dy liderët shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani, theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike.

Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se Kosova është palë konstruktive, teksa potencoi se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

Exit mobile version