Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht Kryesuese të OSBE-së, Elina Valtonen.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.
Sipas njoftimit, në cilësinë e Kryesueses së OSBE-së, Valtonen u informua nga Presidentja Osmani mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e institucioneve ndaj paqes dhe stabilitetit si dhe zbatimin e rendit dhe ligjit.
Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut./D.B/KP