Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar mbrëmjen e të mërkurës një darkë pune komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ku u diskutuan çështje të sigurisë në vend.
Presidenca e Kosovës bën me dije se në këtë takim, Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për të garantuar një të ardhme të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim dhe prosperitet. Ajo rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për çështjet e sigurisë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe sovranitetit të vendit.
Presidenca e Kosovës thekson se Osmani vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, veçanërisht me NATO-n.
“Ajo shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave dhe po mbështet institucionet e Kosovës në patrullimin e kufirit me Serbinë. Osmani ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, veçanërisht për shkak të mungesës së përgjegjësisë nga ana e Serbisë për aktin e agresionit të shtatorit 2023 dhe sulmet ndaj KFOR-it në maj të 2023.
Në përfundim të takimit, Presidentja Osmani dhe komandanti Barduani u shprehën të angazhuar për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, duke theksuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë themeli i paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm”, thueht në njoftimin e Presidencës.