UBT News

​Osmani takon Hasanin: Llogarisim në përkrahjen e Shqipërisë në çdo rrugëtim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, me të cilin përpos zhvillimeve të fundit politike dhe ato të sigurisë u diskutua edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.

“Mirë se erdhe Igli! Si gjithnjë, qytetarët e Kosovës llogarisin në përkrahjen e Shqipërisë në çdo rrugëtim. Kur jemi përkrah njëri-tjetrit, nuk ka sfidë që nuk tejkalohet dhe nuk ka rezultat që nuk mund të arrihet me sukses”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Shqipëria, sipas presidentes Osmani e ka mbështetur Kosovën përgjatë periudhave të rënda për popullin e saj, sikurse edhe në procesin e shteformimit dhe shtetndërtimit, ndaj ka falënderuar ministrin Hasani dhe shtetin shqiptar.

Në njoftim thuhet se gjatë gjatë këtij takimi, Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.

“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, citohet Osmani në komunikatë.

Presidentja Osmani ka potencuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë.

“Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është shprehur Presidentja Osmani, duke theksuar se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani dhe ministri Hasani diskutuan edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në Partneritetin për Paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Në raport me zhvillimet e fundit me situatën politike dhe të sigurisë, presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë te përkushtuara për koordinim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe vendet mike të rajonit në adresimin e sfidave të sigurisë.

Sipas presidentes Osmani, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj, kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Exit mobile version