UBT News

Osmani takon delegacionin nga Shqipëria, flasin për koordinim në politikë të jashtme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion parlamentar nga Shqipëria, të përbërë nga anëtarë të Komisionit për Integrim Evropian, të kryesuar nga Jorida Tabaku, ku kanë diskutuar për mundësitë e fuqizimit të koordinimit në politikën e jashtme, në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me fokus të veçantë në sferën e integrimit evropian.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se në këtë takim Osmani ka theksuar se Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Shqipërisë në procesin e integrimeve evropiane, ndaj ka kërkuar që të vazhdojë edhe më tej të jetë zë i fuqishëm i Kosovës.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova llogaritë në mbështetjen e Shqipërisë në rrugën euroatlantike, në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Bëhet e ditur se Osmani ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria ndajnë të njëjtat vlera dhe se janë të përcaktuara për rrugën evropiane dhe të përkushtuara për paqe e stabilitet.

Delegacioni parlamentar nga Shqipëria i ka dhënë mbështetje Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe ka bërë të ditur se do të jetë krah Kosovës në proceset integruese, duke dhënë maksimumin nga përvoja e tyre.

Exit mobile version