UBT News

Osmani takon Borrellin, flasin për liberalizimin e vizave dhe reciprocitetin për targat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York bashkë me kryetarë të disa shteteve të rajonit në një darkë joformale ka takuar shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në këtë takim u diskutua për situatën në rajon dhe marrëdhëniet e shteteve të Ballkanit me BE-në.

Sipas komunikatës për medie nga zyra e presidentes, thuhet se Osmani ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, ndaj në këtë kontekst ka përmendur faktin se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash. Për këtë shkak, ajo ka potencuar se i takon BE-së që t`i përmbushë premtimet e veta ndaj Kosovës.

Presidentja Osmani ka folur edhe për situatën aktuale në Kosovës, duke përmendur përmbushjen e marrëveshjes për targat.

“Kosova ka përmbushur një aspekt ligjor duke zbatuar marrëveshjen e vitit 2011 dhe 2016 për targat. Përpjekjet për tensionim dhe destabilizim nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia duhet t`i gjykojë vetë BE-ja”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, porse ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe me rendin aktuale juridik.

Exit mobile version