Presidentja Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin Prayout Chan-o-cha, me të cilin ka biseduar mbi forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Osmani ka falënderuar për mbështetjen kryeministrin e Tajlandës dhe njëkohësisht ka kërkuar përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ajo ka theksuar se Kosova e sheh këtë shtet si aleat në këtë pjesë të botës, ndaj është e interesuar që edhe me ndihmën e saj të ndërtojë marrëdhënie miqësore me shtetet e Azisë Juglindore.
Osmani në këtë takim ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur popullsinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor shtetëror.
Për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve.