Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim deputetin David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.
Në takim me deputetin Lammy, siç u bë e ditur në komunikatë, Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta dhe në këtë kontekst, kërkoi mbështetje të metëjme për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë periudhë.
Presidentja theksoi se Kosova, si një sukses i përbashkët i popullit të saj dhe aleatëve ndërkombëtar, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sikurse edhe të sundimit të rendit dhe ligjit. Duke qenë gjithnjë në anën e drejt të historisë, Kosova është rreshtuar krah aleatëve edhe me vendimet për sanksione ndaj Rusisë e në mbështetje të Ukrainës. Por, siç potencoi Presidentja Osmani, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale.
Presidentja Osmani shtoi se Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve sikurse Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që të bëhen hapa përpara në forcimin dhe konsolidimin e mëtejmë të pozitës ndërkombëtare si dhe në luftimin e tendencave destabilizisuese ruso-serbe. Në veçanti, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, si prioritete imediate.
Në takim, u diskutua edhe për procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast, Osmani përsëriti faktin se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, e cila po përballet me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë.
Ajo potencoi se është me rëndësi që Mbretëria e Bashkuara ta vazhdojë trashëgiminë e saj të mbështetjes ndaj Kosovës jo vetëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.