Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim gazetaret ukrainase që janë duke qëndruar në Kosovë, për nder të shënimit të 31-vjetorit të pavarësisë.
Osmani, përmes një postimi në facebook, ka thënë se i ka siguruar ato se Kosova do ta mbështesë Ukrainën deri kur të triumfojë liria dhe paqja.
“Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, i sigurova gazetaret që po qëndrojnë në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë”, që Kosova do ta mbështesë popullin e Ukrainës deri kur atje të triumfojë liria dhe paqja. Në një bashkëbisedim frymëzues me to, potencova mbështetjen tonë të plotë për punën e tyre të guximshme në mbrojtjen e së vërtetës dhe në forcimin e miqësisë në mes të popujve tanë”, ka shkruar Osmani.