Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se sigurimi i vaksinave është prioritet kryesor për të gjitha institucionet.
Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë një takimi që pati me ambasadorin hungarez József Bencze, i cili e uroi për marrjen e detyrës dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Kosovës në rrugën euro-atlantike si dhe në procesin e liberalizimit të vizave.
Duke e falënderuar për rikonfirmim të këtyre qëndrimeve, shefja e shtetit gjithashtu e falënderoi diplomatin hungarez për letrën e urimit të Presidenti hungarez János Áder.
“Marrëdhëniet e vendit tonë me Hungarinë i kanë rrënjët në historinë tonë të përbashkët të mbrojtjes së vlerave civilizuese evropiane dhe jemi jashtëzakonisht mirënjohës për gatishmërinë e vendit tuaj që të punojmë së bashku drejt intensifikimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit në mes të vendeve tona”, ka theksuar Osmani.
Kryetarja e Kosovës potencoi edhe bashkëpunimin në fushën e arsimit me shtetin hungarez, me fokus në rritjen e numrit të bursave për studentët tanë për t`i ndjekur studimet në Hungari.