UBT News

Osmani shfuqizon katër dekrete për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Zyra e presidentit përmes një kumtese thotë se sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada.

Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili sipas saj nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak.

“Si udhëheqëse e politikës së jashtme, u.d. Presidentja është e përkushtuar që të mbrojë ligjshmërinë dhe profesionalizmin përgjatë emërimeve në shërbimin e jashtëm. Ajo do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës”, thuhet në njoftimin e Presidencës./UBTNews

Exit mobile version