UBT News

Osmani: Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin për Punë të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut me Serbinë dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Presidenca e Kosovës.

“Në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore. Megjithatë, Presidentja Osmani ka potencuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur. Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”, thuhet në komunikatë.

Sipas Osmanit, mbështetja e Suedisë është thelbësore për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në BE.

“Në takim u diskutua për situatën aktuale politike në vend e rajon, procesin e dialogut me Serbinë si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Presidentja Osmani ka theksuar se me liberalizimin e vizave për Kosovën, mori fund padrejtësia ndaj qytetarëve të Kosovës. Por, sipas Presidentes Osmani, synimi i Kosovës është që të bëhet edhe anëtare e familjes së madhe evropiane. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetje nga ministri Billström që Suedia si kryesuese e Këshillit të BE-së, ta mbështes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është orientim strategjik”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Exit mobile version